Sport

Një vit nga medalja olimpike e Distria Krasniqit – Argjendi që shkëlqeu si ari për Kosovën

Sot shënohet një vit nga një prej momenteve më të lavdishme në historinë sportive të Kosovës – fitimi i medaljes së dytë olimpike nga xhudistja Distria Krasniqi.

Më 28 korrik 2024, në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, Krasniqi rrëmbeu medaljen e argjendtë në kategorinë -52 kilogramë, duke vulosur emrin e saj mes më të mirave të botës në xhudo dhe duke sjellë krenari të madhe për shtetin e Kosovës.

Megjithëse ishte medalje e argjendtë, për shumë qytetarë të Kosovës ajo shkëlqeu si ari – falë luftës së saj të palodhur, përkushtimit të jashtëzakonshëm dhe krenarisë që shfaqi gjatë gjithë garës.

Përvjetori i kësaj arritjeje është rikujtuar sot nga Komiteti Olimpik i Kosovës, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka theksuar se “argjendi i saj në Paris 2024 shkëlqente si ari”.

Kjo medalje e përforcon statusin e Distria Krasniqit si një prej sportisteve më të mëdha në historinë e vendit, ndërsa për Kosovën përfaqëson një tjetër dëshmi të suksesit në skenën ndërkombëtare olimpike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button