Një tjetër tërmet trondit Greqinë, epiqendra në Evia

Një tjetër lëkundje sizmike ka goditur Greqinë ditën e sotme, me magnitudë 3.7 të shkallës Rihter. Tërmeti u regjistrua në orën 13:31 me orën lokale greke, me epiqendër në zonën e Evias.
Sipas Institutit Gjeodinamik, epiqendra ndodhet 7 kilometra në jugperëndim të Prokopit, ndërsa thellësia fokale ishte 12.3 kilometra. Dridhjet janë ndjerë edhe në disa pjesë të Atikës, por fatmirësisht nuk raportohen dëme materiale apo persona të lënduar.
“Tërmet me magnitudë paraprake 3.7 me epiqendër në Prokopi, Evia (jo në Nea Stira). Ndjehet lehtë edhe në Atikën lindore”, tha sizmologu Gerasimos Papadopoulos në një reagim në rrjete sociale, citon “Protothema”.
Kujtojmë se të hënën, Greqia u godit nga një tërmet më i fuqishëm me magnitudë 5.2 Rihter, po në Evia, konkretisht në Nea Stira, ku gjithashtu nuk pati pasoja në njerëz.