Nisma: Me nominimin e Fatmir Limajt për kryetar Kuvendi, Kosova do të kishte institucione funksionale

Artan Nimani nga Nisma Socialdemokrate ka deklaruar se situata institucionale në vend do të ishte ndryshe nëse Fatmir Limaj do të ishte nominuar për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
Në një intervistë të dhënë mbrëmjen e së hënës në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, Nimani tha se Nisma kishte treguar gatishmëri për një kompromis të madh politik, duke propozuar Limajn si kandidat për këtë post.
“Sikur z. Limaj të nominohej për kryetar të Parlamentit, ose sikur të zbatohej dakordimi mes z. Limaj dhe z. Kurti që ai të nominohej nga mazhoranca për kryetar të Kuvendit, unë besoj se tash e katër muaj do t’i kishim institucionet e Republikës së Kosovës”, u shpreh Nimani.
Ai e cilësoi këtë si një “kompromis të jashtëzakonshëm” nga ana e Nismës, duke theksuar se nuk ka qenë vendim i lehtë as për Fatmir Limajn dhe as për partinë që ai përfaqëson.
Deklarata vjen në kohën kur bllokada institucionale në Kosovë ka hyrë në muajin e katërt, me partitë që ende nuk kanë arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve.