Nisin sot zyrtarisht fushatat për zgjedhjet lokale, Vetëvendosje kritikohet për nisje të parakohshme

Sot starton zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Shumica e partive kanë paralajmëruar hapjen e fushatës në kryeqytet. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nis aktivitetin e saj nga ora 13:00 në Hotel “Venus” në Prishtinë. Pas saj, Nisma do të hapë fushatën në ora 14:00 në “Klan Arena”. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të mbajë tubimin e parë në ora 18:00 në Pallatin e Rinisë, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të mbyllë ditën e parë të fushatës me një tubim në sheshin “Skënderbeu” nga ora 19:00.
Ndryshe nga partitë e tjera, Lëvizja Vetëvendosje e hapi fushatën mbrëmë, një ditë para fillimit zyrtar, duke nxitur kritika për shmangie të mbikëqyrjes institucionale. Sipas ekspertit të KDI-së, Eugen Cakolli, kjo praktikë krijon një vakum ligjor:
“Për çfarëdo që ndodh në aktivitetet e parafushatës, as KQZ-ja e as PZAP-ja nuk kanë kompetencë të mbikëqyrin, e rrjedhimisht as të shqiptojnë gjoba apo sanksione – madje as në rast të përdorimit të gjuhës nxitëse apo shpenzimeve të pakontrolluara”, tha ai.