Nisin patrullimet e përbashkëta Shqipëri-Kosovë për sezonin veror 2025

Nga data 1 korrik, në territorin e Shqipërisë do të nisin zyrtarisht patrullimet e përbashkëta ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, në kuadër të rritjes së sigurisë gjatë sezonit turistik veror.
Ky bashkëpunim vjen si rezultat i një Memorandumi të ri të nënshkruar së fundmi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe homologu i tij nga Kosova, Kolonel Gazmend Hoxha.
Sipas njoftimit zyrtar, qëllimi i këtij angazhimi të përbashkët është forcimi i sigurisë rrugore, menaxhimi më i mirë i trafikut në akset kryesore që lidhin të dy vendet, si dhe parandalimi i shkeljeve dhe aksidenteve gjatë muajve të verës.
“Prania e kolegëve kosovarë është një mbështetje e çmuar dhe simbol i harmonisë mes dy institucioneve, jo vetëm në fushën e policimit rrugor, por edhe në luftën kundër krimit dhe paligjshmërisë,” deklaroi drejtori Proda.
Nga ana tjetër, Kolonel Hoxha e cilësoi këtë angazhim si një nder dhe përgjegjësi të madhe për Policinë e Kosovës. Ai shtoi se misioni do të zhvillohet me përkushtim dhe në shërbim të qytetarëve të të dy vendeve.
Patrullimet e përbashkëta do të fokusohen në lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe garantimin e një ndjenje më të madhe sigurie për turistët që zgjedhin bregdetin shqiptar gjatë muajve të verës