Nis dëshmia në rastin ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi – akuzohet për keqpërdorim detyre dhe dëm prej mbi 3 milionë eurosh

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur dëshminë Hasan Kerolli, ekspert i lartë për analiza të tregut dhe tregtimin e energjisë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në rastin ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të kësaj korporate, Nagip Krasniqi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Krasniqi, i cili ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të 8 tetorit 2024 dhe sërish në atë të 3 korrikut 2025, po përballet me akuzat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të ngritura më 19 gusht 2024.
Sipas aktakuzës, gjatë kohës sa ushtronte pozitën e kryeshefit të KEK-ut, nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi, Krasniqi me dashje i kishte mundësuar operatorit slloven “Holding Slovenske Elektrane” (HSE) tregtimin e energjisë elektrike në Kosovë në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjin për Rregullatorin e Energjisë.
Në dokumentin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se ai kishte aprovuar blerjet, nënshkruar kontrata dhe konfirmuar vazhdimin e tregtimit me këtë operator, ndonëse ishte në dijeni se kompania nuk kishte licencë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Sipas Prokurorisë, veprimet e tij i mundësuan kompanisë së huaj përfitime pasurore dhe shmangie nga tatimet në Kosovë, duke shkaktuar dëme ndaj buxhetit të shtetit në vlerë prej 531,920.79 euro, ndërsa dëmi material ndaj vetë KEK-ut vlerësohet në 3,229,905 euro.
ZRrE kishte konstatuar se tregtimi i energjisë pa licencë ishte në kundërshtim me ligjin dhe kishte kërkuar disa herë nga KEK të vepronte në përputhje me rregullat. Megjithatë, pavarësisht këtyre vërejtjeve, KEK kishte vazhduar bashkëpunimin me kompaninë sllovene deri në maj të vitit 2023, kur kontrata u pezullua, e më pas u ndërpre përfundimisht në gusht 2023.
Aktakuza thekson se grupi punues i KEK-ut kishte propozuar që të respektoheshin qëndrimet e ZRrE-së, mirëpo qëndrimet e tyre nuk ishin përcjellë të plota, por vetëm komentet mospajtuese të cilat përfaqësonin qëndrimin personal të Krasniqit.
Edhe zyra ligjore e KEK-ut, sipas aktakuzës, kishte konfirmuar se duhej respektuar autoriteti i ZRrE-së, duke e cilësuar atë si institucionin përfundimtar për çështjet e energjisë elektrike.
Në një nga e-mailët e përfshirë në dosjen e Prokurorisë, pas kërkesës së drejtorit operativ Luigj Imeri për udhëzime, Krasniqi kishte konfirmuar vazhdimin e tregtimit me HSE. Pas kësaj, në komunikimin e brendshëm, dy punonjëse të KEK-ut, Anjeta Zeqiri dhe Besa Shatri, kishin reaguar me komente tallëse ndaj situatës.
Pas arrestimit të Nagip Krasniqit në një rast tjetër, KEK më 19 maj 2023 kishte njoftuar kompaninë HSE për pezullimin e bashkëpunimit, ndërsa më 7 gusht 2023 e kishte njoftuar për shkëputjen përfundimtare të kontratës, duke lënë mundësi për rinovim vetëm nëse kompania siguronte licencë të vlefshme nga ZRrE.
Procesi gjyqësor ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut po vazhdon, ndërsa dëshmia e Hasan Kerollit pritet të hedhë dritë mbi mënyrën si janë marrë vendimet që sipas Prokurorisë kanë shkaktuar dëme të mëdha ndaj buxhetit të Kosovës dhe konkurrencës në tregun e energjisë.



