Ngritet aktakuzë ndaj një personi për një ngjarje tragjike

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër E.B. për vrasje të rëndë dhe mbajtje pa leje të armëve. Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 10 gusht 2025, rreth orës 20:30, në lagjen “Tusus”, në rrugën “Lapidari” në Prizren.
Prokuroria njofton se i pandehuri E.B., duke shfrytëzuar besimin e viktimës H.Sh., e ka sulmuar këtë të fundit me thikë, duke e goditur tri herë në pjesë të ndryshme të trupit. Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmon se lëndimet shkaktuan gjakderdhje të brendshme të rëndë në regjionin e majtë të kraharorit, e cila rezultoi me vdekjen e viktimës.
Gjithashtu, i pandehuri ka poseduar pa leje armën e ftohtë – thikë me gjatësi tehu 10 cm dhe dorezë 12 cm, me të cilën ka kryer aktin.
Prokuroria ka propozuar që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, E.B. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në lidhje me përleshjen e qenve që ka paraprirë ngjarjes, rasti po hetohet veçmas ndaj dy të dyshuarve të tjerë për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve dhe ndotja e ushqimit dhe e ujit të shtazëve”.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa autoritetet apelojnë për drejtësi të shpejtë dhe të plotë.



