Ngjarje e paprecedentë në spitalin e Korçës, roja në gjendje të dehur dhunon dhe ofendon punonjësit dhe pacientët

Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur këtë të mërkurë në Spitalin e Korçës, ku roja i “Senatoriumit” ka qenë në gjendje të dehur dhe ka degraduar deri në dhunë dhe ofendime ndaj punonjësve dhe pacientëve të institucionit. Sipas informacioneve të korrespondentes së SYRI TV në Korçë, Sidorela Xhomaqi, roja është futur në pavion dhe në dhomat e të sëmurëve, duke filluar të ofendojë e të fyer pacientët dhe stafin.
Situata është agravuar kur stafi mjekësor ka ndërhyrë për të qetësuar roja, por ai ka nisur një grindje të ashpër me infermierët dhe më pas ka goditur një familjar të një pacienti të shtruar. Ky incident ka shkaktuar kaos dhe frikë në spital, duke rrezikuar sigurinë e pacientëve dhe stafit.
Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe ka shoqëruar rojën në komisariat për hetime të mëtejshme. Ky akt ka shkaktuar shqetësim në komunitetin lokal dhe ka ngritur pyetje mbi sigurinë në spitalet publike, të cilat duhet të ofrojnë kushte të sigurta dhe të qeta për pacientët dhe stafin.