Kosova

Ngërçi politik pa zgjidhje: Subjektet politike presin Kushtetuesen, pavarësisht thirrjeve të SHBA-së

Subjektet politike në Kosovë nuk po ndërmarrin hapa për zgjidhjen e ngërçit institucional, as në kohën kur Gjykata Kushtetuese është duke shqyrtuar kërkesat e LDK-së dhe PDK-së lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit. Kjo vjen pavarësisht thirrjeve të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë që deputetët të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe të mos presin vendime të Kushtetueses për zgjidhjen e problemeve politike.

Deputetja e LVV-së, Arbëresha Kryeziu, tha për RTV21 se, edhe nëse do të tentohej një marrëveshje e re, ajo do të duhej të bëhej me po të njëjtat parti që e kanë refuzuar dialogun më parë.

“LVV-ja gjithmonë do të mendojë në drejtim të një zgjidhjeje, por nuk mund të krijojmë skenarë pa vendimin e Kushtetueses, pasi ai e qartëson mënyrën se si do të funksionojmë tutje,” tha Kryeziu.

Përkundër përpjekjeve të fundit, përfshirë takimin ndërmjet Albin Kurtit dhe kreut të Nismës, Fatmir Limaj, nuk është arritur ndonjë marrëveshje. Seanca e 54-të e Kuvendit, që ishte edhe mundësia e fundit për konstituim brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh, dështoi sërish. LVV ka theksuar se nuk do të bëjë pazare për poste në këmbim të numrave për formimin e qeverisë, ndërsa Nisma i ka mohuar këto akuza.

“LVV-ja pati 56 vota. Me Nismën bëjnë 59, pra mungojnë edhe 2. Është e padrejtë të thuhet se Nisma e dështoi konstituimin e Kuvendit,” u shpreh Fatmir Matoshi nga Nisma.

Deputetët e LDK-së, Ekrem Hyseni dhe Krenar Xhaferi, kanë shprehur qëndrime të ndryshme për rrugën përpara. Hyseni pret që LVV të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Xhaferi kërkon masa ndëshkuese ndaj saj në rast të konstatimit të shkeljeve.

“Vendimi i Kushtetueses duhet të jetë i qartë dhe i kujdesshëm. Nëse shkojmë në zgjedhje, mund të kemi një rezultat të ngjashëm dhe përsëri do të jemi në ngërç,” deklaroi Xhaferi.

Aktualisht, përmes një mase të përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese më 27 korrik, subjektet politike nuk mund të ndërmarrin asnjë veprim drejt konstituimit të Kuvendit deri më 8 gusht. Ndërkohë, Kushtetuesja ka njoftuar se është në shqyrtim edhe kërkesa e presidentes Vjosa Osmani lidhur me situatën në Kuvend.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button