Kosova

Ngërçi Kushtetues në Kuvend: Afati i Gjykatës po përfundon, partitë në pritje të vendimeve të reja

Më pak se dy javë kanë mbetur nga përfundimi i afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, por seancat parlamentare po vazhdojnë pa ndryshime thelbësore, duke e thelluar edhe më tej krizën institucionale.

Aktualisht është në radhë seanca e 47-të, ndërsa qëndrimet e partive politike, posaçërisht të Lëvizjes Vetëvendosje, mbeten të pandryshuara. Ndërkohë, në Gjykatën Kushtetuese janë duke u shqyrtuar dy kërkesa të reja nga partitë politike lidhur me seancat pas aktgjykimit të fundit.

“Kërkesat e reja përkitazi me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës aktualisht janë duke u proceduar,” kanë bërë të ditur nga Kushtetuesja, pa dhënë një afat të qartë për vendimin.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, shpreh skepticizëm lidhur me efektin e mundshëm të vendimeve të reja nga Kushtetuesja, duke theksuar se problemi është politik në thelb dhe jo juridik.

“Askush nuk mund t’i zgjidhë problemet politike. Kushtetuesja dha një afat prej 30 ditësh, por nuk foli për pasojat. Kësisoj, aktgjykimi po keqpërdoret nga LVV-ja dhe kryesuesi Dehari,” ka deklaruar Miftaraj për RTV21.

Nga ana tjetër, hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaçku, pret që pas dy ankesave të reja në Kushtetuese të zgjidhet situata.

“Përmbajtja kryesore e kërkesave të PDK-së dhe LDK-së ka të bëjë me sqarimin e afatit 30-ditor dhe me legalitetin e komisionit të fshehtë për verifikimin e mandateve,” është shprehur Bugaçku.

Miftaraj thekson gjithashtu se Presidentja Osmani do të detyrohet të kërkojë interpretim shtesë nga Gjykata Kushtetuese, nëse Kuvendi dështon të konstituohet brenda afatit.

“Nëse Gjykata Kushtetuese prapë vendos se votimi i fshehtë është kundërkushtetues, LVV-ja do të vazhdojë me të njëjtin kandidat edhe në votim të hapur, duke mos e zgjidhur problemin,” tha ai.

Zyra e Presidentes tashmë ka bërë të ditur se Osmani po shqyrton mundësinë ligjore për të kërkuar qartësim për pasojat në rast se afati 30-ditor tejkalohet pa konstituim të Kuvendit. Edhe LVV-ja ka paralajmëruar se do të kërkojë interpretim të mëtejshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Kriza mbetet e hapur, ndërsa ora politike po ecën drejt skadimit të afatit kushtetues pa zgjidhje konkrete në horizont.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button