Nga 15 shtatori, kalimi në Tunelin e Llogarasë do të jetë me pagesë

Qarkullimi në Tunelin e Llogarasë, i cili deri më tani ka qenë pa tarifë, do të bëhet me pagesë duke filluar nga data 15 shtator. Ministrja e Infrastrukturës kishte paralajmëruar më herët se lëvizja në këtë aks do të ishte falas vetëm deri në përfundim të sezonit turistik.
Tarifa e parashikuar është 10 euro vajtje-ardhje për makinë, ndërsa menaxhimi i sistemit të vetëpagesës do të kryhet nga Enti Kombëtar i Operimit Rrugor (EKOR), një shoqëri aksionere me kapital shtetëror, nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Tuneli i Llogarasë ka një gjatësi prej 5.9 kilometrash dhe ka reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimit nga Dukati drejt Palasës, nga 45 minuta në vetëm 7 minuta. Projekti përfshin dy tunele, njëri për emergjencë, i cili në rast rritjeje të fluksit turistik pritet të vihet gjithashtu në funksion.
Shoqëria menaxhuese do të kujdeset për operimin dhe mirëmbajtjen e portave automatike, sistemin e tarifimit, shpërndarjen e biletave dhe ofrimin e aboneve mujore për përdoruesit e rregullt.
Aktualisht, në Shqipëri pagesë aplikojnë edhe tre segmente të tjera rrugore: Milot–Morinë, Thumanë–Kashar dhe Dukat–Palasë.