Lajme

“Nesti” që tradhtoi mikun? Historia e prishjes së një aleance 25-vjeçare në Bashkinë e Tiranës

Në korridoret e Bashkisë së Tiranës qarkullon prej javësh një batutë e errët: në aramishten e vjetër, emri “Arbian” përkthehet në “Nesti”. Natyrisht, kjo është një shaka pa asnjë bazë shkencore, por që synon të nënvizojë dyshimet e thella për identitetin e “Nesti Angolit” – dëshmitarit kyç në çështjen penale që çoi pas hekurave kryebashkiakun Erion Veliaj.

Në epiqendër të këtyre dyshimeve është Arbjan Mazniku, ish-numri dy i Bashkisë së Tiranës dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Veliajt për mbi dy dekada. Ndërsa Veliaj ndodhet në burg, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash me lejet e ndërtimit, Mazniku është promovuar si ministër në qeverinë Rama dhe drejtues politik i PS-së në Elbasan – një ngjitje që ka ngjallur jo pak habi dhe spekulime.

Nga “Mjaft” te pushteti absolut në Bashki

Historia e Veliajt dhe Maznikut është një simbiozë e gjatë dhe e fortë politike e nisur që në vitet e gjimnazit. Të dy ishin pjesë e lëvizjes “Mjaft”, e financuar nga fondacionet e George Soros, dhe më pas themeluan lëvizjen G-99, që u shndërrua në trampolinë për pozicionet e tyre të larta në administratën Rama pas vitit 2013.

Në Bashkinë e Tiranës, Mazniku ka qenë krahu i djathtë i Veliajt, një figurë kyç në vendimmarrje, sidomos në projektet më të debatueshme si inceneratori i Sharrës. Ata ndanin jo vetëm bashkëpunimin institucional, por edhe një marrëdhënie të ngushtë miqësore dhe familjare.

Ndarja në kulmin e skandalit

Largimi i papritur i Maznikut nga Bashkia në vitin 2022 për t’u emëruar ministër nga Rama, ndodhi pikërisht në kulmin e skandalit të Sharrës. Ky veprim u pa nga disa si një përforcim i “klanit Veliaj”, por nga të tjerë si një përgatitje për ta izoluar kryebashkiakun nga mbështetësit më të afërt.

Kur arrestimi i Veliajt ndodhi më 10 shkurt 2025, shumë figura të lidhura me pushtetin e tij dolën hapur për ta mbrojtur. Por një zë mungonte: Arbjan Mazniku. Heshtja e tij mbi dy muaj ngriti dyshime serioze për qëndrimin ndaj mikut të tij të vjetër.

Deklaratat e ftohta dhe një “shprehje zemre” me frena dore

Në daljen e tij të parë publike, në “Top Story”, Mazniku mbajti një ton të ftohtë: “PS-ja nuk bëhet mburojë e kolegëve që përballen me drejtësinë”. Edhe pse më vonë, në “Dekalog”, e përshkroi arrestimin e Veliajt si “një ngjarje shumë traumatike”, ai përsëri iu rikthye linjës zyrtare të partisë, pa shfaqur mbështetje të qartë.

“Tradhtia” që mund të kushtojë

Në përgjimet e publikuara, Veliaj nuk shfaqet dyshues ndaj Maznikut, përkundrazi, u jep të afërmve të tij udhëzime për të komunikuar me të. Megjithatë, brenda rrethit të afërt të dyshes, gjithnjë e më shumë po ngjizet perceptimi se Mazniku e ka braktisur mikun e tij në momentin më të vështirë.

Pavarësisht nëse është apo jo “Nesti Angoli”, etiketa e “tradhtarit” tashmë ndjek Arbjan Maznikun në sfondin e karrierës së tij në rritje. Dhe kjo mund të jetë një barrë e rëndë për t’u hequr – veçanërisht kur mikun e vjetër e ke lënë pas, në një qeli të errët të paraburgimit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button