Nëpër çaste dhe frymë: Letërsia, jeta dhe arti në pasqyrë

Një album monografik me të dhëna nga jeta artistike e Mirush Kabashit dhe rolet e tij ndër vite është botimi nga shtëpia botuese “Jozef” e autore Driada Dervishin, “Mirush Kabashi, Sokrati shqiptar”.
“Agimi i lumnueshëm” nga Haki Stërmilli, “Tridhjetë e tre çaste për të jetuar” nga Panos Vasileiou dhe “Mirush Kabashi, Sokrati shqiptar”, nga Driada Dervishi janë titujt që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV. Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.
Botuar për herë të parë në vitin 1924, kjo vepër e Haki Stërmillit vjen për lexuesin duke u përpjekur të respektojë gjuhën origjinale të autorit. Libri është pjesë e një serie veprash të Stërmillit që po botohen njëra pas tjetrës si pjesë e një kolane nga shtëpia botuese “M&B”.
“Me nji anë për me i shërbye historisë e letërsisë sonë dhe me anë tjetër për me përmbushë pjesërisht detyrën e naltë qi më ngarkon Atdheu, u përpoqa me nxjerrë në dritë edhe këtë dramë të titullueme “Agimi i lumnueshëm”, e cila me gjith qi mund të ketë të meta në pikpamjen dramatike, kam shpresë se do të pëlqehet, tue u marrë parasysh qëllimi, i cili më shtyni me u rrekë nji kohë të gjatë për nji vepër të tillë.”, – shkruan Stërmilli në parathënien e botimit të parë të kësaj vepre. Ai shton se drama është e bazuar në ngjarje të vërteta që kanë ndodhur në vitin 1921, e nuk përmban thjesht fantazi por ka dhe bazë historike.
A do ta shpenzoje jetën duke pritur momentin ideal apo do të guxosh ta jetosh çdo çast si të ishte i fundit?
“Tridhjetë e tre çaste për të jetuar” nga Panos Vasileiou nuk është thjesht një libër, por është një thirrje për zgjim. Një udhëtim i thellë emocional përmes mendimeve, ndjenjave dhe momenteve që na ndryshojnë përgjithmonë.
Kjo vepër eksploron thellësisht përvojat njerëzore përmes një serie tregimesh të shkurtra.
Secili nga këto tregime përfaqëson një “çast” unik, duke ofruar reflektime mbi dashurinë, humbjen, shpresën dhe sfidat e jetës. Nëpërmjet një stili të ndjeshëm dhe introspektiv, Vasileiou fton lexuesin të ndalet dhe të mendojë mbi momentet që formësojnë ekzistencën tonë.
Përmes këtyre tregimeve, autori na kujton rëndësinë e jetesës së vetëdijshme dhe të vlerësimit të çdo çasti. Libri është një thirrje për të jetuar me pasion dhe për të gjetur kuptim në përvojat e përditshme.
Tridhjetë e tre çaste për të jetuar është një lexim që frymëzon dhe nxit reflektimin, duke ofruar një përvojë të thellë dhe transformuese për çdo lexues.
Pannos Vasileiou ka lindur në Qipro dhe ka studiuar për Psikologji Klinike. Aktualisht ai punon si terapist në Spitalin e Limasolit dhe ka një pasion të veçantë për antropologjinë, origjinën e njerëzimit dhe botën e specieve të rralla dhe mikroorganizmat.
Një album monografik me të dhëna nga jeta artistike e Mirush Kabashit dhe rolet e tij ndër vite është botimi nga shtëpia botuese “Jozef” e autore Driada Dervishin, “Mirush Kabashi, Sokrati shqiptar”.
Libri sjell në vëmendje të gjithë rolet dhe filmat e Kabashit, ndërkohë që për të sjellë në vëmendje shumë prej tyre është bashkëpunuar me familjarët e artistit dhe Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.
Një kapitull i veçantë i është kushtuar edhe interpretimeve në monodramë të aktorit. Në vitet e fundit të karrierës së tij, Kabashi ishte në kulmin e pjekurisë artistike dhe një nga monodramat me të cilat ai identifikohet është “Apologjia e vërtetë e Sokratit”.
Një kapitull tjetër i rëndësishëm janë edhe koncertet poetike, ku që para viteve ’90-të Kabashi ishte i pranishëm në emisione të ndryshme në Radiotelevizionin Shqiptar përmes poezive apo pamfleteve.
Albumi monografik vjen tashmë edhe në anglisht i përkthyer nga Ermir Nika.
MELODIA E VARGUT
Sonila Strakosha
Te “Melodia e Vargut vargjet e Sonila Strakoshës. Poezia e parë është zgjedhur për t’u interpretuar në mbrëmjen përmbyllëse të aktiviteteve dedikuar Flakës së Janarit në Gjilan të Kosovës.
PUTHJA QË DUA
Ma prek ballin me buzët e tua
Të më shërojë drobitjen
E ligësisë së botës
Të më qetësojë shqisat
T’u jap atyre krahë pulëbardhe
Për të shtegtuar deteve të lumturisë.
M’i mbështet duart mbi supe
Dhe përqafomë me një puthje në ballë
Ma fal frymen tënde mburojë
Të më ngrohë ndjesitë e lodhura
Nëse nuk ma jep dot
Prekjen që mbi gjithçka dua
Atëherë asgjë nuk ka vlerë
Vyshken puthjet e dhëna më parë
Stepen përkëdheljet
Shuhen sa shumë vështrime
Shtrëngime, premtime, fjalë.
Në vargun e Sonila Strakoshës haset dendur fjala “shpirt” që për autoren shpreh instiktin, frymëzimin, zërin e brendshëm i cili shkrihet dhe ngjizet me gjithçka e rrethon, me vështrimet, buzëqeshjet, natyrën, me emocionet, ndjeshmërinë dhe magjinë që ato falin.
MEDITIM
U ula në një vend se më vodhi sytë
Më rrëmbeu dhe më kërkoi
Të ndalja shpejtësinë
E binda atë çast jetën
Ta ngadalësonte ritmin
Këmbëkryq u ula mbi bar
E ndjeva të më zgjohen
Ndjesitë krahëputhitur
Që kish kohë heshtnin tek unë
Përkundeshin dremitur
Ula vrullin, ndjeva aromën e paqtë
Si lindte, përhapej
Në një grimëkohe brenda
Dhe thithej, shpërndahej jashtë
Madhështia e petaleve
Rrënjët e meditimit rriti
Preka lehtë lulen
Dhe mora thellë frymë
Më erdhi, e di, më erdhi erë
Shpirti
Vargjet e fundit, pikërisht me titullin:
SHPIRTI
Si është vizatuar shpirti
Ç’formë të ketë, ç’ngjyrim vallë?
Më sillni njê pasqyrë
Që ashtu ngadalë
Figurat e tij të më vërë përballë.
Të gjithë një shprehje kanë?
Ç’nuancë mbajnë, ç’vështrim?
Do doja një pasqyrë ku te duket pamja
Ku aty t’pêrshfaqej ngjyra e shpirtit tim.