Në Kongresin e Federatës Evropiane të Gazetarëve miratohet mocioni i AGK-së kundër dënimeve nga KPM-ja
Federata Evropiane e Gazetarëve e ka miratuar në mënyrë unanime në Kongresin Vjetor në Ankara mocionin në mbështetje të mediave në Kosovë, që kanë qenë subjekt i gjobave joproporcionale nga Komisioni i Pavarur i Mediave.
EFJ në tekstin e mocionit ka thënë se këto dënime janë përpjekje për të kufizuar lirinë e shprehjes dhe debatit në Kosovë, dhe kanë ndodhur pas kërkesave dhe ankesave të anëtarëve të partisë në pushtet, Vetëvendosje.
Kongresi Vjetor e ka autorizuar Bordin Drejtues të EFJ-së, që t’i bëjë thirrje Vetëvendosjes t’i ndalë sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave, dhe t’i shkruajë zyrtarisht KPM-së për t’i kërkuar që të mos tejkalojë kompetencat.
Presidentja e EFJ-së, Maja Sever ka thënë se mediat dhe gazetarët në Kosovë e kanë përkrahjen e plotë evropiane për të vazhduar punën e tyre të rëndësishme në interes të publikut.
Më poshtë teksti i plotë i mocionit:
Për gjobat e vendosura nga rregullatori i mediave (KPM) në Kosovë ndaj televizioneve
Propozuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK, Kosovë)
Kongresi Vjetor i Federatës Evropiane të Gazetarëve, i mbajtur në Ankara, Turqi, më 18–19 qershor 2026, shpreh shqetësim për presionin e paprecedentë që është ushtruar gjatë dy muajve të fundit ndaj televizioneve kryesore në Kosovë nga rregullatori i mediave në vend, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).
Në gjashtë mbledhje të Bordit të KPM-së janë shqiptuar gjithsej mbi 60 mijë euro gjoba ndaj disa mediave. Këto gjoba lidhen kryesisht me shkelje të pretenduara të Kodit të Etikës gjatë fushatave zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit 2025, dhjetorit 2025 dhe qershorit 2026.
Vërejmë se gjobat janë vendosur pas ankesave të politikanëve nga partia në pushtet lidhur me diskutimet për punën e tyre në debatet televizive, të zhvilluara nga analistë politikë dhe përfaqësues të partive të tjera politike. Edhe më shqetësues është fakti se një nga anëtarët e KPM-së ka bërë thirrje për ndalimin e plotë të njërit prej emisioneve më të ndjekura të debatit televiziv.
Këto gjoba i shohim si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave në Kosovë, me synim dobësimin e debatit publik dhe kufizimin e aftësisë së mediave për ta mbajtur Qeverinë përgjegjëse për punën e saj. Kjo është një përpjekje për frikësimin e gazetarëve që mund të çojë në vetëcensurë. Shumat që duhet të paguhen do të krijojnë barrë shtesë për televizionet, të cilat tashmë përballen me vështirësi financiare.
Po ashtu, shprehim shqetësim të madh se disa nga mediat e shënjestruara transmetojnë në gjuhët e komuniteteve jo-shumicë, dhe një prej tyre është kërcënuar me heqjen e licencës. Vendimet e KPM-së përfaqësojnë gjithashtu ndërhyrje të drejtpërdrejtë në pavarësinë editoriale dhe do të dëmtojnë pluralizmin mediatik me të cilin krenohet Kosova.
Kongresi Vjetor i EFJ-së gjithashtu vëren gjetjet e një raporti të publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ngrisin shqetësime se disa nga vendimet e KPM-së janë miratuar përtej afateve ligjore të përcaktuara për vendimmarrje, duke vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e tyre.
Për këtë arsye, Kongresi Vjetor i EFJ-së udhëzon Bordin Drejtues që të ndërmarrë veprimet e mëposhtme:
● t’i bëjë thirrje partisë politike në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, të përmbahet nga fushatat publike të njollosjes dhe denigrimit ndaj gazetarëve dhe akterëve mediatikë në Kosovë;
● t’i dërgojë një letër Komisionit të Pavarur të Mediave duke kërkuar respektimin e Ligjit për KPM-në dhe të mos tejkalojë kompetencat dhe përgjegjësitë e veta gjatë shqyrtimit të ankesave;
● t’i bëjë thirrje Komisionit për Media të Kuvendit të Kosovës që të mbajë një takim urgjent me anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave për të siguruar që vendimet e tyre të mos cenojnë punën e mediave dhe lirinë e medias.



