
Procesi i votimit në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IVEP) në Fushë Krujë ka nisur mëngjesin e sotëm në orën 08:55, duke u zhvilluar normalisht dhe pa problematika.
Nga gjithsej 338 individë që ndodhen në këtë institucion, 282 prej tyre kanë të drejtë vote. Ndërkohë, 56 të burgosur dhe të paraburgosur janë të përjashtuar nga votimi për shkak të veprave penale për të cilat janë dënuar ose akuzuar, sipas parashikimeve të ligjit nr. 138/2015 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me vendim të formës së prerë”.
Nga 282 votuesit, 60 prej tyre ndodhen në këtë institucion me vendim gjykate. Deri në orët e para të mëngjesit, kanë votuar 15 persona.
Procesi pritet të vijojë gjatë ditës, nën mbikëqyrjen e autoriteteve zgjedhore dhe atyre të burgut, duke garantuar zbatimin e të drejtës kushtetuese për votë për të gjithë ata që ligji nuk i ndalon.