Kosova

Në gjykimin për mashtrim dhe skema piramidale, dëshmitarët tregojnë mbi humbjen e fondeve nga fermerët

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën u zhvillua seanca ndaj të akuzuarve Valmir Hajrullahu, Freskim Buqaj dhe Saranda Dobruna, të cilët po gjykohen për organizim të skemave piramidale, bixhoz të paligjshëm dhe mashtrim.

Dëshmitari Arben Gashi deklaroi se kishte aplikuar për grant për kultivim të arrave përmes organizatës joqeveritare Qendra për Avokim dhe Diplomaci (QAD). Ai tha se i ishte kërkuar të hapte vrimat për mbjellje, por se projekti nuk u realizua dhe pemët nuk u mbollën kurrë. Sipas tij, vlera e grantit ishte rreth 14 mijë euro, prej të cilave ai kishte dhënë 2 mijë euro nga kredia në bankë, përveç kamatës që ka paguar.

Dëshmitari tjetër, Muhamet Paçarizi, konfirmoi deklaratën e tij të dhënë më 2017 në polici. Ai tha se kishte dhënë rreth 1,800 euro për një projekt të bletëve dhe se 800 euro ia kishte dhënë nipit të tij. Paçarizi theksoi se kishte shkuar në zyrën e QAD, por nuk kishte gjetur askënd.

Seanca u ndërpre për mungesë të dëshmitarëve të tjerë, të cilët pritet të dëgjohen në vijim.

Rasti më parë po gjykohej nga gjykatësi Sh.H., i cili ndërroi jetë, ndërsa tani gjykohet nga kryetari Agim Kuçi dhe anëtarët Medije Bytyqi dhe Gent Beka.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzën më 29 mars 2017, duke përfshirë disa fermerë si të dëmtuar, përfshirë Feriz Bytyqin, Arsim Lecin, Nazmir Pirajn, Shkelzen Pantinën, Shpëtim Lajqin, Shyqeri Skenderin dhe Xhavit Alshiqin. Sipas aktakuzës, të akuzuarit kishin mashtruar fermerët duke marrë pjesë në subvencione të parashikuara, por nuk i kishin përmbushur obligimet, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme rreth 600 mijë euro.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button