Kosova

Në Dubravë nis viti i ri shkollor për të dënuarit

Në Qendrën Korrektuese të Dubravës ka nisur sot viti i ri shkollor 2025/26 përmes paraleles së ndarë “Rudina” të Shkollës së Mesme Teknike “Mit’hat Frashëri” nga Gurrakoci.

Me përfundimin e të gjitha përgatitjeve – nga personeli mësimdhënës, materialet shkollore, mjetet didaktike e deri te pajisjet teknologjike – procesi mësimor ka filluar pa pengesa. Në klasën e dhjetë janë regjistruar një numër i konsiderueshëm nxënësish, të cilët do të ndjekin mësimin teorik dhe praktik nën kujdesin e stafit profesional.

“Arsimi dhe edukimi mbeten një nga shtyllat kryesore të procesit të risocializimit, duke i dhënë secilit individ mundësinë për zhvillim personal dhe ndërtimin e një të ardhme më të mirë. Përmes arsimit, nxënësit fitojnë aftësi, njohuri të dobishme dhe mbi të gjitha, besim në veten e tyre”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Qendra Korrektuese e Dubravës, në bashkëpunim me Shkollën e Mesme Teknike “Mit’hat Frashëri” – paralelja “Rudina”, mbetet e përkushtuar që përmes edukimit të ndihmojë në riedukimin, integrimin dhe zhvillimin e të dënuarve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button