Kosova

Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, nuk kalon raporti për verifikimin e mandateve

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sot nga kryesuesi Avni Dehari, pasi dështoi miratimi i raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve të deputetëve të rinj.

Në fjalën e tij para deputetëve, Dehari tha se seanca nuk mund të vazhdojë për shkak të rrethanave të krijuara pas mosvotimit të raportit.
“Për shkak të rrethanave të krijuara, meqë raporti i komisionit nuk mori votat e mjaftueshme, në këto rrethana duhet ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten sesi do të vijohet tutje”, tha ai.

Raporti nuk kaloi pasi 52 deputetë votuan pro, 46 kundër dhe 11 abstenuan. Kundër këtij raporti votuan Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Përkrahjen për raportin e dhanë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe të Nismës.
Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, theksoi se raporti ishte miratuar më parë në Komision me shumicë votash dhe shtoi se ishte e pritshme që PDK, LDK dhe AAK të votonin kundër.

Komisioni i përkohshëm kishte paraqitur para deputetëve raportin për verifikimin e mandateve të 120 deputetëve të zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit, sipas listës së certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button