Ndërprerjet e energjisë paralizojnë bizneset në Kosovë, humbje milionëshe dhe rrezik për vendet e punës

Që nga 16 gushti, një numër i madh i bizneseve në Kosovë janë përballur me ndërprerje të energjisë elektrike, pas hyrjes në fuqi të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen e tyre në tregun e lirë. Situata ka shkaktuar reagime të forta nga komuniteti i biznesit dhe ekspertët e ekonomisë, të cilët paralajmërojnë për pasoja serioze në aktivitetin ekonomik, humbje milionëshe dhe rrezikim të mijëra vendeve të punës.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, tha për “Front Online” se disa fabrika tashmë janë mbyllur, ndërsa të tjera janë në proces të bartjes së kapaciteteve jashtë Kosovës.
“Humbjet e bizneseve nga dalja me dhunë në tregun e lirë janë shumë milionëshe. Disa fabrika janë mbyllë, disa janë në proces për të bartë kapacitetin e tyre jashtë Kosove, e disa janë duke punuar edhe me humbje. Pas një kohe do të dihet saktë përmasat e këtyre humbjeve,” u shpreh ai.
Edhe drejtori i Odës së Afarizmit të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, ngriti shqetësime mbi dëmet që po pësojnë bizneset. Ai tha se ndërprerjet janë bërë me ndërhyrje të policisë, duke i trajtuar bizneset sikur borxhlinj, ndonëse ata kanë paguar rregullisht energjinë.
“Ende nuk dihet saktë se sa janë humbjet, pasi çdo biznes është ndryshe nga tjetri. Të shtunën, policia ka ndërhyrë në mënyrë të dhunshme, thuajse po e këputnin një hajn të rrymës e jo një biznes që e ka paguar vazhdimisht,” tha Ahmeti, duke shtuar se kostot e rikyçjes mbesin barrë shtesë për ndërmarrjet.
Eksperti i ekonomisë, Adem Qorrolli, paralajmëroi se humbjet për bizneset variojnë nga mijëra deri në qindra mijëra euro në ditë, sidomos në sektorët e prodhimit dhe shërbimeve.
“Bizneset që kanë mbetur pa rrymë tash e tri ditë janë duke pësuar humbje të konsiderueshme. Disa janë detyruar të ndalojnë prodhimin ose operimin, duke sjellë dëme direkte në të ardhurat e tyre dhe të punonjësve,” tha Qorrolli.
Ai shtoi se pasojat shtrihen në mbarë ekonominë e vendit.
“Ekonomia humb miliona euro në produktivitet të pashfrytëzuar. Ka humbje të të hyrave nga tatimet dhe kontributet. Rritet pasiguria për investitorët aktualë dhe të ardhshëm, duke dëmtuar imazhin e vendit,” përfundoi ai.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa bizneset presin përgjigje për dëmet e shkaktuara dhe qartësi mbi hapat e ardhshëm në tregun e lirë të energjisë.