Musliu për rastin në Lipjan: Sjellje e papranueshme nga policia – kanë humbur kriteret dhe morali

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar pas rastit tragjik të vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, ku të përfshirë janë pesë zyrtarë policorë.
Musliu ka cilësuar të papranueshme sjelljen e zyrtarëve policorë gjatë ndërhyrjes dhe ka theksuar se ky rast duhet trajtuar jo vetëm nga një këndvështrim, por në mënyrë gjithëpërfshirëse.
“Sjellja ishte e papranueshme, ishte një pamje që ende nuk jam qetësuar që tri ditë që e kam parë,” tha ajo, duke shtuar se problemi nuk qëndron vetëm te një faktor. “Janë shumë faktorë që duhet të trajtohen. Kam thënë shpesh në seanca parlamentare se ka humbur morali i policit dhe ushtarit.”
Musliu ngriti shqetësimin për mungesën e kritereve gjatë pranimeve në Policinë e Kosovës, duke thënë se sot “hyn kushdo në polici pa ndonjë trajnim adekuat”.
Rasti ka nxitur reagime të shumta në opinion publik dhe po hetohet nga autoritetet përkatëse, ndërsa pesë policë janë arrestuar nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”.