Musliu: Mungesa e barnave për pacientët me kancer në QKUK është alarmante – kërkon urgjentisht transparencë dhe përgjegjësi

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj mungesës së barnave për pacientët me kancer në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke e cilësuar situatën si alarmante dhe të papranueshme.
Në një deklaratë publike, Musliu ka ngritur alarmin për mungesën e trajtimit adekuat për pacientët, duke theksuar se kjo krizë vjen në një kohë kur buxheti për barna dhe materiale shpenzuese është rritur ndjeshëm.
“Mungesa e barnave për pacientët me kancer në QKUK është alarmante! Ky nuk është thjesht një lajm i radhës, është një thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim. Pacientët po përballen me një krizë që prek drejtpërdrejt jetën e tyre”, theksoi Musliu.
Sipas saj, buxheti i vitit 2025 për materiale shpenzuese, barna esenciale dhe shërbime shëndetësore ka arritur në 105 milionë euro – rreth 45.6 milionë më shumë se vitin e kaluar – por përkundër kësaj, pacientët kanë më pak qasje në trajtim.
“Si është e mundur që me më shumë mjete financiare, pacientët kanë më pak trajtim?”, pyeti Musliu, duke shtuar se sëmundja nuk pret dhe pacientët nuk duhet të vuajnë për shkak të paaftësisë ose papërgjegjësisë institucionale.
Ajo kërkoi transparencë të plotë, përgjegjësi nga institucionet kompetente dhe një zgjidhje urgjente të problemit.
“Heshtja është bashkëfajësi. Kërkojmë transparencë, përgjegjësi dhe ZGJIDHJE urgjente!”, përfundoi reagimin e saj deputetja e PDK-së.