Mungesa e Ronaldos në funeralin e Diogo Jotës trondit Portugalinë – pamjet e publikuara nxisin reagime

Portugalia është tronditur nga një lajm i rëndë dhe emocional: vdekja tragjike e futbollistit Diogo Jota dhe vëllait të tij, André, ka sjellë një dhimbje të thellë në vend dhe në komunitetin futbollistik ndërkombëtar. Në ceremoninë mortore të mbajtur në qytetin Gondomar morën pjesë shumë figura të njohura të futbollit, përfshirë yje të Liverpoolit dhe Kombëtares Portugeze.
Megjithatë, mungesa e kapitenit legjendar të Portugalisë, Cristiano Ronaldo, ka lënë pas vetes më shumë pyetje sesa përgjigje.
Sipas mediave portugeze, Ronaldo nuk ka udhëtuar për në Portugali për të marrë pjesë në funeralin e Jotës, ndërsa pamjet që qarkulluan nga mediat spanjolle dhe britanike tregojnë se ai është parë duke pushuar në Mallorca, në jahtin e tij luksoz prej 5.5 milionë paundësh. Këto raportime, të cilat fillimisht dolën nga gazeta “Ultima Hora” e Mallorcas dhe u shpërndanë nga “Daily Mail”, kanë nxitur reagime të forta në Portugali.
“Cristiano Ronaldo ka zgjedhur sërish Mallorcan si destinacion për të shijuar pushimet verore”, shkruante “Daily Mail”, duke theksuar se praninë e tij këtë vit në ishull po e shoqëron një ndjeshmëri e shtuar për shkak të mungesës në këtë ngjarje mortore.
Federata Portugeze e Futbollit ka konfirmuar zyrtarisht se Ronaldo nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e varrimit, ndonëse vetë lojtari kishte shprehur ngushëllimet e tij përmes një mesazhi emocional në rrjetet sociale, ku e quajti humbjen e Jotës dhe vëllait të tij “të pakuptimtë” dhe “të dhimbshme”.
“Nuk ka fare kuptim. Sapo ishim së bashku në Kombëtare, sapo ishe martuar.
Për familjen tënde, për gruan dhe fëmijët e tu, dërgoj ngushëllimet e mia dhe u uroj të gjithë forcën e botës. E di që gjithmonë do të jesh pranë tyre.
U prehshi në paqe, Diogo dhe André. Do të na mungoni të gjithëve”, kishte shkruar Cristiano në Instagram.
Për shumë qytetarë dhe tifozë, prania e Ronaldos në këtë ceremoni do të kishte qenë një gjest simbolik dhe një mbështetje për familjen e Jotës në këto momente të vështira. Mungesa e tij ka lënë një hije të rëndë dhe ka hapur debat publik mbi përgjegjësinë morale të figurave të mëdha publike në raste të tilla.
Ronaldo, një ikonë kombëtare dhe ndërkombëtare, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes – por këtë herë, jo për arritjet në fushën e gjelbër.