Kosova

Mungesa e konstituimit të Kuvendit lë Kosovën jashtë takimit të rëndësishëm diplomatik në Stamboll

Pengesat politike të brendshme në Kosovë po shkaktojnë pasoja të drejtpërdrejta edhe në arenën ndërkombëtare. Për shkak të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, që u mbajt më 26 korrik në Prishtinë, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, nuk mori pjesë në një takim të nivelit të lartë diplomatik në Stamboll, ku u mblodhën ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Takimi, i thirrur nga homologu turk Hakan Fidan, ishte pjesë e Platformës së Paqes në Ballkan dhe synonte forcimin e bashkëpunimit rajonal në fusha kyçe si infrastruktura, tregtia, energjia, kultura dhe mbrojtja e mjedisit. Për Kosovën, në vend të ministres Gërvalla, mori pjesë ambasadori Agon Vrenezi, ndërsa Shqipëria u përfaqësua nga zëvendësministrja Silda Anagnosti Çepe, për shkak të mungesës së ministrit Igli Hasani.

Pjesëmarrësit në takim zhvilluan diskutime të përbashkëta dhe takime dypalëshe me ministrin turk Fidan, por në listën e takimeve tete-a-tete munguan përfaqësuesit e Kosovës dhe Shqipërisë – sipas njoftimeve zyrtare dhe fotove të publikuara nga Ministria e Jashtme e Turqisë.

Në një reagim për KALLXO.com, MPJD e Kosovës sqaroi se “arsyeja e vetme për mungesën e ministres Gërvalla ishte angazhimi i saj institucional në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës”. Megjithatë, edhe përpjekja e asaj nate për konstituimin e Kuvendit dështoi, duke shtuar më tej pasiguritë politike.

Gjatë takimit në Stamboll u vendos që mbledhjet e Platformës së Paqes në Ballkan të mbahen rregullisht çdo gjashtë muaj, duke përfshirë edhe liderët e vendeve pjesëmarrëse.

Mungesa e Kosovës në një ngjarje të tillë thekson ndikimin negativ që ngërçi institucional ka në politikën e jashtme dhe mundësinë për të ndikuar në vendimmarrjet rajonale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button