Mujka mohon ndërhyrje njerëzore në përmbytjen e punishtes së urës së re në Mitrovicë

Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, ka mohuar se përmbytja e punishtes ku po ndërtohet ura e re mbi lumin Ibër në Mitrovicë ka ndodhur për shkak të ndonjë veprimi të qëllimshëm njerëzor.
Përmes një reagimi në Facebook, Mujka sqaroi se ngjarja është pasojë e reshjeve të shumta ditëve të fundit dhe rrëshqitjes së kanalit në Zubin Potok, që detyroi bartjen emergjente të ujit të tepërt në lumë.
“Me rëndësi është se konstruksioni i urës nuk është rrezikuar asnjëherë. Duhet të sqarohet se nuk është dorë njeriu që ka krijuar dëmin, por dora e njeriut e ka minimalizuar dëmin e mundshëm shumë më të madh e afatgjatë”, shkroi ai.
Sipas Mujkës, rritja e papritur e nivelit të ujit në lumin Ibër ndodhi mbrëmë dhe shkaktoi dëme materiale në punishten pranë “tre rrokaqiejve”, por situata u stabilizua brenda një ore. Ai shtoi se aktualisht po punohet në sanimin e kanalit kryesor për ta mbajtur nivelin e ujit nën kontroll.
Mujka u bëri thirrje palëve që rasti të mos përdoret për qëllime politike apo elektorale, duke e cilësuar situatën si “thjesht çështje operacionale”.
“Operatori ekonomik ka pjesën e vet të përgjegjësisë për mënyrën e organizimit të punishtes. Shpresojmë që një situatë e tillë të mos përsëritet më”, theksoi ai.
Në vendngjarje dje u raportuan dëme në pajisje dhe materiale ndërtimore, por jo rrezik për vetë konstrukcionin e urës.



