Kosova

MSH dhe IKSHPK publikojnë masa mbrojtëse ndaj vapës: Kufizime orari dhe pika freskimi për punonjësit

Ministria e Shëndetësisë (MSH), në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka lëshuar një sërë rekomandimesh për mbrojtjen e qytetarëve dhe punonjësve gjatë valës së të nxehtit që pritet të zgjasë nga data 22 deri më 25 korrik.

Në njoftim thuhet se temperaturat e larta paraqesin rrezik serioz për shëndetin e njerëzve, veçanërisht për grupet më të ndjeshme, përfshirë fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe punëtorët në ambient të hapur.

Masat kryesore të rekomanduara për institucionet publike dhe private përfshijnë:

Ndalimi i punës në ambiente të jashtme nga ora 11:00 deri në 16:00.

Lirimi i grave shtatzëna nga puna në këtë interval orar, nëse vendi i punës nuk përmbush standardet për ajrosje dhe pika freskimi.

Reduktim orari për personat me sëmundje kronike, të cilët nuk duhet të punojnë më shumë se 4 orë në ditë.

Përshtatje të orarit të punës, duke e zhvendosur atë në orët e hershme të mëngjesit ose të pasdites vonë; përfshihet edhe mundësia e punës nga shtëpia.

Sigurimi i ajrosjes së mirë në ambientet e mbyllura të punës.

Vendosja e pikave freskuese në vendet e hapura të punës, si çadra të lëvizshme apo zona të mbuluara me hije, dhe sigurimi i qasjes në ujë të ftohtë për të gjithë punëtorët.

MSH u bën thirrje qytetarëve dhe institucioneve të jenë të kujdesshëm dhe të zbatojnë këto masa për të parandaluar pasojat e mundshme shëndetësore nga temperaturat ekstreme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button