Kosova

Agron Thaqi emërohet ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm në Institutin e Mjekësisë Ligjore

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për emërimin e Agron Thaqit si ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML). Emërimi i tij vjen pas një procedure rekrutimi që përfundoi pa sukses dhe la këtë pozitë të lirë.

Sipas dokumentit të siguruar nga Insajderi, Thaqi është punësuar në IML gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka lidhur kontratë pune me këtë institucion në vitin 2023 dhe ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit për Laborator Mjeko-Ligjor, përpara se të emërohej në pozitën më të lartë të institucionit.

Vendimi i Qeverisë thekson se Thaqi obligohet të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë e tij në përputhje me legjislacionin përkatës. Mandati i tij si ushtrues detyre fillon më 23 korrik 2025 dhe zgjat sipas dispozitave ligjore për zyrtarët publikë.

Po ashtu, me këtë vendim është shfuqizuar Vendimi Nr. 338/2022 i datës 9 dhjetor 2022, ndërsa Instituti i Mjekësisë Ligjore obligohet të zbatojë vendimin e ri.

Vendimi ka hyrë në fuqi ditën e nënshkrimit./insajderi.org/

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button