Kosova
Kryesore

MPJD: Bashkatdhetarët të mos udhëtojnë me dokumente të skaduara, disa shtete nuk i lejojnë kalimet tranzit

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka bërë një njoftim të rëndësishëm për të gjithë bashkatdhetarët që po planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës me transport rrugor. MPJD i ka paralajmëruar qytetarët që të mos udhëtojnë me dokumente të skaduara, pasi disa shtete nuk i lejojnë kalimet tranzit pa dokumente të vlefshme udhëtimi.

“Udhëtimi me dokumente të skaduara nuk lejohet nëpër territoret e këtyre shteteve, pavarësisht nga praktikat e vendit ku nis udhëtimi. Duke iu referuar rasteve të fundit të paraqitura gjatë kalimeve tranzit, veçanërisht nëpër territorin e Italisë, theksojmë nevojën që qytetarët të verifikojnë paraprakisht kërkesat për dokumentacion për secilin vend që kalojnë gjatë udhëtimit të tyre”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

MPJD gjithashtu u bën thirrje qytetarëve që të planifikojnë udhëtimet me kujdes dhe të informohen në detaje për rregullat e hyrjes dhe kalimit nëpër vendet që përshkojnë.

“Në raste pasigurie, ju ftojmë të kontaktoni misionet tona diplomatike dhe konsullore për udhëzime shtesë”, thuhet në fund të njoftimit.

Ky paralajmërim vjen në kohën kur fluksi i udhëtimeve drejt Kosovës rritet ndjeshëm për shkak të pushimeve verore dhe ardhjes së mërgimtarëve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button