MPJ e Shqipërisë kundër pretendimeve të Serbisë për “spastrim etnik” në Kosovë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Serbisë, e cila kishte pretenduar se në Kosovë po ndodh “spastrim etnik i serbëve”.
Në një reagim zyrtar, MPJ e Shqipërisë i hodhi poshtë këto pretendime dhe iu kujtoi autoriteteve serbe ngjarjet tragjike të vitit 1999, kur u krye spastrimi etnik i shqiptarëve të Kosovës. Ministria e cilësoi përpjekjen e Serbisë për të rikthyer “hijet e së shkuarës” si të papranueshme dhe si një përpjekje për të ndërruar rolet e viktimës dhe të agresorit.
“Është për keqardhje që Serbia mbështetet ende mbi një raport tashmë të diskredituar të Dik Martit. Këto të pavërteta, të njohura ndërkombëtarisht, nuk mund të përdoren për t’iu shmangur përgjegjësisë historike. Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi”, theksoi MPJ e Shqipërisë.
Deklarata e Shqipërisë thekson se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka nevojë për pajtim, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sinqertë, dhe jo për rikthim tek gjuha e akuzave dhe viktimizimit. MPJ e Shqipërisë u shpreh se vendi do të vazhdojë të mbështesë bashkëpunimin rajonal dhe përpjekjet për paqe, siguri dhe prosperitet.



