
Sot, territori i vendit do të përjetojë kushte të qëndrueshme atmosferike gjatë orëve të paradites, ku do të mbizotërojë moti i kthjellët dhe temperaturat e larta. Megjithatë, pasditja do të sjellë një ndryshim të lehtë të motit, pasi pritet shtim i vranësirave në pjesën më të madhe të vendit.
Vranësirat do të jenë më të theksuara në zonat verilindore, ku nuk përjashtohen momente me pika shiu të përkohshme. Sipas parashikimeve, në orët e vona të natës, kushtet atmosferike do të përmirësohen sërish në të gjithë territorin.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie të lehtë si në mëngjes, ashtu edhe në mesditë. Vlerat ditore do të variojnë nga 7°C, që do të regjistrohet në qytetin e Peshkopisë, deri në 30°C në zonat e Ultësirës Perëndimore.
Era do të jetë e lehtë, si në tokë ashtu edhe në det, me një shpejtësi që kap vlerat mbi 25 km/h, kryesisht nga drejtimi perëndimor. Në brigjet detare, ky aktivitet i erës do të shkaktojë dallgëzim të papërfillshëm.