Moti për Shqipërinë: Kthjellime dhe temperatura të larta, reshje të izoluara pasdite në lindje

Shqipëria po vijon të ndikohet nga masa ajrore të qëndrueshme, duke sjellë mot të kthjellët dhe temperatura të larta në të gjithë vendin, veçanërisht në zonat Qendrore dhe Jugore ku pritet të regjistrohen vlerat më të larta.
Sipas parashikimeve, kthjellimet do të mbizotërojnë gjatë pjesës më të madhe të ditës, ndërsa pasditja do të sjellë shtim të vranësirave në skajet verilindore dhe juglindore të territorit. Në këto zona ekziston rreziku për reshje shiu dhe breshër, por në mënyrë të izoluar.
Mbrëmja pritet të sjellë përmirësim të kushteve atmosferike në të gjithë vendin, duke rikthyer qetësinë meteorologjike.
Temperaturat do të pësojnë rritje, duke u luhatur nga 7°C në qytetin e Pukës deri në 31°C në qarqet Elbasan dhe Berat.
Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe mesatare në det, me një shpejtësi maksimale deri në 45 km/h nga drejtimi veriperëndimor. Për pasojë, në brigjet detare pritet dallgëzim mbi 2 ballë.