
Qarkullimi i masave ajrore me origjinë Perëndimore – Veriperëndimore pritet të sjellë një përkeqësim të kushteve atmosferike në vendin tonë. Sipas parashikimeve meteorologjike, moti do të jetë i paqëndrueshëm në të gjithë territorin shqiptar, duke nisur që nga orët e para të mëngjesit.
Vranësirat do të jenë të pranishme në të gjitha zonat, ndërsa reshjet e pakta të shiut do të shfaqen në zonat Qendrore dhe Juglindore të vendit. Pas mesditës, reshjet do të shtrihen në të gjithë territorin, ku në zonat Qendrore dhe Lindore parashikohen edhe rrebeshe afatshkurtra.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie, si në orët e para të mëngjesit ashtu edhe gjatë mesditës. Vlerat minimale pritet të zbresin deri në 4°C në zonat Verilindore, ndërsa ato maksimale do të arrijnë deri në 24°C, veçanërisht në qarkun e Vlorës.
Era do të jetë e lehtë dhe mesatare gjatë gjithë ditës, me një shpejtësi maksimale deri në 30 km/h nga drejtimi Perëndimor. Si pasojë, në brigjet e detit Adriatik dhe Jon parashikohet një dallgëzim i ulët.