Mot me ndryshime gjatë javës: Pas shiut, rikthehen intervalet me diell

Sipas “Mendimi për Motin”, gjatë javës vendi do të përballet me ndryshime të lehta atmosferike, por pa reshje të konsiderueshme.
Të mërkurën, vransirat do të jenë të pranishme gjatë ditës, por moti mbetet kryesisht i thatë me intervale të shpeshta me diell. Temperaturat minimale do të luhaten ndërmjet 6°C dhe 8°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë deri në 15°C – 18°C. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga veriu dhe verilindja me shpejtësi 3–7 m/s.
E enjta do të nisë me më shumë diell, por edhe më e ftohtë, me temperatura minimale prej 3°C deri 4°C. Në orët e pasdites, pritet shtim gradual i vransirave.
Të premten parashikohen reshje të dobëta shiu kohëpaskohe, ndërsa temperaturat maksimale do të zbresin në 12°C – 13°C. Shi i dobët lokal mund të vazhdojë edhe gjatë ditës së shtunë.
Nga e diela, situata meteorologjike përmirësohet — vransirat do të shpërndahen dhe pasdite priten intervale me diell. Temperaturat minimale do të sillen ndërmjet 5°C dhe 10°C.
Erërat do të fryjnë kryesisht nga juglindja duke filluar nga e enjtja, ndërsa të premten pritet të jenë paksa më të theksuara me hove deri në 15 m/s.



