Mot i paqëndrueshëm, reshje dhe rritje e lehtë e temperaturave në vend

Shqipëria do të vijojë të ndikohet nga masa ajrore të ngrohta dhe të lagështa me origjinë oqeanike, të cilat do të sjellin mot të paqëndrueshëm në të gjithë vendin. Sipas parashikimeve, gjatë orëve të paradites pritet alternim i kthjellimeve dhe vranësirave, ndërsa në orët e pasdites do të ketë shtim të vranësirave, të cilat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar.
Orët e vona të natës pritet të sjellin rrebeshe shiu në të gjithë territorin e vendit, ku zonat lindore do të përjetojnë reshje në formë shtrëngatash, duke rritur ndjeshëm intensitetin e tyre.
Temperaturat do të pësojnë një rritje të lehtë në vlerat minimale, ndërsa ato maksimale do të mbeten relativisht konstante. Vlerat ditore do të variojnë nga 7°C në zonat malore deri në 27°C në zonat e ulëta dhe bregdetare.
Era do të vijojë të fryjë mesatare deri e fortë nga drejtimi jugor, me shpejtësi që pritet të arrijë deri në 50 km/h. Për pasojë, në zonat bregdetare do të ketë dallgëzim mbi 3 ballë, çka mund të ndikojë në aktivitetin detar.
Kushtet meteorologjike kërkojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat lindore dhe ato bregdetare, ku pritet përkeqësim më i dukshëm i motit.