Kosova

Mot i paqëndrueshëm në Kosovë, ulje e ndjeshme e temperaturave – përmirësim në fundjavë

Sot në Kosovë pritet të mbajë mot i paqëndrueshëm me vranësira të dendura dhe reshje shiu, që në disa zona mund të jenë në formë rrebeshesh të fuqishme, veçanërisht në veri dhe më vonë në Dukagjin. Temperaturat do të pësojnë një rënie të ndjeshme fillimisht në pjesën veriore të vendit, për t’u shtrirë më vonë edhe në jug.

Në jug të Kosovës, orët e para të mëngjesit mund të karakterizohen nga intervale me diell, por gjatë ditës pritet shtim i vranësirave dhe reshje të herëpashershme shiu, të shoqëruara me freski.

Kalimi i një fronti të ftohtë ajror në orët e para të mëngjesit mund të sjellë erëra të fuqishme, të cilat më pas pritet të dobësohen gradualisht.

Kushtet e ngjashme atmosferike priten edhe në Shqipëri dhe Mal të Zi, ku parashikohen vranësira, reshje të pakta dhe ulje e lehtë e temperaturave, ndërsa reshje të dendura nuk pritet të ketë.

Në Maqedoninë e Veriut moti nis i nxehtë, por gjatë ditës parashikohet një rënie e temperaturave dhe reshje të pakta lokale. Në Luginën e Preshevës, po ashtu, parashikohen reshje të dobëta dhe ulje e ndjeshme e temperaturave.

E Enjta dhe e Premtja do të sjellin mot më të freskët, me vranësira të herëpashershme dhe mundësi për reshje të pakta lokale. Ndërkohë në Shqipëri pritet të mbajë mot kryesisht i kthjellët dhe i thatë.

Fundjava pritet të sjellë një përmirësim të dukshëm të kushteve të motit në të gjithë rajonin, me stabilizim të plotë dhe rritje të ndjeshme të temperaturave.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button