Mot i nxehtë dhe rreze UV të larta në fillim të javës – IHK jep paralajmërimin

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka njoftuar se fillimi i kësaj jave do të dominohet nga moti i nxehtë dhe me diell, me temperatura që do të arrijnë deri në 32°C.
Sipas IHK-së, nga mesi i javës pritet një freskim i motit me ulje graduale të temperaturave dhe reshje të përkohshme shiu.
Indeksi i rrezeve ultravjollcë (UV) do të jetë në nivele të larta, duke rrezikuar shëndetin, veçanërisht të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike. Prandaj, qytetarëve u rekomandohet që të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell gjatë intervalit kohor prej orës 09:00 deri në 17:00.
Temperaturat minimale pritet të jenë nga 14 deri në 17°C, ndërsa ato maksimale do të lëvizin nga 28 deri në 32°C.
Era do të fryjë nga drejtimi i veriperëndimit, me shpejtësi prej 1 deri në 8 metra për sekondë.
Autoritetet shëndetësore këshillojnë hidratim të rregullt, qëndrim në ambiente të freskëta dhe përdorim të mbrojtësve kundër diellit gjatë daljeve jashtë.