Mot i nxehtë dhe kryesisht me diell në fillim të korrikut, temperaturat pritet të arrijnë deri në 39°C

Kushtet e qëndrueshme atmosferike do të mbretërojnë në vend në ditët e para të korrikut, me mot të nxehtë dhe kryesisht me diell. Sipas “Mendimi për Motin”, 1 korriku pritet të sjellë temperatura të larta dhe vransira të herëpashershme, por pa kushte për reshje.
Temperaturat minimale do të luhaten nga 16°C deri në 19°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 31°C e 34°C. Era do të fryjë nga drejtimi verior dhe verilindor me shpejtësi 6 deri në 12 metra në sekondë.
Mot i ngjashëm do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me rritje graduale të temperaturave gjatë pjesës së dytë të javës. Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 35°C e 37°C, ndërsa në disa zona lokale edhe deri në 38°C apo 39°C. Minimalet do të sillen ndërmjet 12°C dhe 18°C.
Erërat do të fryjnë kryesisht nga veriu me intensitet të lehtë deri mesatar, nga 3 deri në 10 metra në sekondë.