Mot i freskët sot në Kosovë, fundjava sjell ngrohje dhe rrebeshe lokale

Kosova sot do të përjetojë një ditë të freskët dhe të ndryshueshme për sa i përket kushteve atmosferike. Sipas parashikimit të MeteoBallkan, vendi do të mbizotërohet nga moti me vranësira dhe intervale kohore me diell. Herë pas here, në disa zona të izoluara, priten rigë ose rrebeshe të dobëta shiu.
Do të fryjë erë e freskët nga drejtimi i veriut dhe verilindjes, çka do ta bëjë motin edhe më të freskët, veçanërisht në orët e mëngjesit. Temperaturat maksimale do të lëvizin deri në 23°C në Rrafshin e Kosovës, ndërsa në Dukagjin pritet të arrijnë deri në 25°C.
Ndërkohë, në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi do të mbajë mot kryesisht me diell dhe i qëndrueshëm, me përjashtim të ndonjë rigë të mundshme shiu në disa zona malore të Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Të premten pritet më shumë diell në të gjitha viset, me vranësira të herëpashershme dhe rritje të ndjeshme të temperaturave. Në Shqipëri, moti do të jetë kryesisht i kthjellët, stabil dhe i nxehtë.
Fundjava sjell një rritje të mëtejshme të temperaturave edhe në Kosovë. Megjithatë, të shtunën pasdite, në disa zona kodrinore dhe malore mund të ketë zhvillime të rrebesheve lokale me vetëtima dhe bubullimë.