Kosova

Mitrovicë e Veriut: Policia sekuestron veturë me targa serbe dhe kamera të montuara

Policia e Kosovës ka sekuestruar një veturë të dyshimtë me targa të Serbisë në rrugën “Knjaz Milos” në Mitrovicën e Veriut, në të cilën ishin të montuara dy kamera profesionale dhe pajisje GPRS.

Sipas njoftimit zyrtar, automjeti i tipit Skoda Octavia, ngjyrë hiri, ishte parkuar kundërligjshëm dhe pas kontrollit rezultoi se kishte hyrë në Kosovë në vitin 2022, duke tejkaluar afatin ligjor prej tre muajsh të lejuar për qëndrimin e mjeteve me targa të huaja. Për këtë arsye, ai është proceduar në Doganën e Kosovës për veprime të mëtejme.

Policia ka kontaktuar edhe me personin përgjegjës, i cili është paraqitur në stacionin policor dhe ka deklaruar se vetura i përkiste “Narodna Banka Srbije”, e përdorur më herët për transportimin e parave nga Serbia në Kosovë.

Gjatë kontrollit të detajuar, në automjet u gjetën dy kamera të vendosura, një DVR dhe një ekran monitorimi, të cilat sipas Policisë janë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Privatësinë (06/L-082). Për këtë arsye, në vendngjarje u ftuan përfaqësues të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, të cilët konfiskuan pajisjet për procedura të mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës rikujtoi qytetarët se:

Vendosja e kamerave apo pajisjeve të regjistrimit në automjete dhe hapësira private pa autorizim është e ndaluar dhe përbën shkelje të privatësisë;

Automjetet me targa të huaja nuk mund të qëndrojnë në Kosovë më shumë se tre muaj, përndryshe konsiderohen të kundërligjshme dhe iu nënshtrohen masave ligjore, përfshirë konfiskimin.

Në fund, Policia apeloi për respektim të legjislacionit dhe paralajmëroi se çdo shkelje do të ndëshkohet sipas ligjit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button