Mitrovicë e Veriut: Lista Serbe nis peticion kundër ndërtimit të dy urave mbi lumin Ibër

Me nismën e Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit, në Mitrovicë të Veriut ka nisur të hënën një peticion kundër ndërtimit të dy urave të reja mbi lumin Ibër.
Këto ura, një për këmbësorë dhe tjetra për trafik, janë pjesë e një projekti të Qeverisë së Kosovës, i cili u përurua më 1 korrik në prani të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Qeveria ka ndarë rreth tre milionë euro për realizimin e projektit, i cili pritet të përfundojë gjatë vjeshtës së këtij viti.
Sipas Kurtit, ndërtimi i këtyre urave ka për qëllim lidhjen e Mitrovicës së Veriut, me shumicë serbe, me Mitrovicën e Jugut, me shumicë shqiptare. Ai tha se Qeveria është e përkushtuar për të nxitur “komunikim, qarkullim, bashkëpunim dhe shkëmbim më të madh midis Veriut dhe Jugut”.
Por kjo nismë është kundërshtuar ashpër nga Lista Serbe. Kryetari i saj, Zllatan Ellek, deklaroi për Radio Televizionin e Serbisë se qëllimi i peticionit është të dërgojë një mesazh të qartë se “populli serb nuk pranon vendime të njëanshme për projekte që i sheh si të dëmshme për komunitetin serb”. Ai bëri të ditur se peticioni do të jetë i hapur për nënshkrime për dy ditë dhe më pas do t’i dërgohet bashkësisë ndërkombëtare.
Bashkimi Evropian ka kërkuar që çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës përgjatë lumit Ibër të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe me përfshirjen e të gjitha komuniteteve të prekura.
Urat e reja pritet të ndërtohen pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë dhe e mbikëqyrur nga trupat paqeruajtëse të NATO-s, KFOR. Kjo urë është bërë simbol i ndarjes etnike të qytetit pas luftës dhe ka qenë shkak i tensioneve të vazhdueshme. Ndonëse Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për hapjen e saj për trafik në vitin 2014, ajo nuk u hap kurrë për automjete, përkundër investimeve prej 1.5 milionë eurosh dhe përfundimit të punimeve në qershor të vitit 2018.
Verën e kaluar, paralajmërimet e Qeverisë për hapjen e urës për trafik shkaktuan reagime të ashpra nga komuniteti serb dhe ngritën shqetësime edhe në arenën ndërkombëtare.
Ndërsa qytetarë shqiptarë të Mitrovicës së Jugut e konsiderojnë hapjen e urës si një hap drejt bashkëjetesës dhe lirisë së lëvizjes, serbët në Veri shprehin frikën se kjo do të rrisë tensionet ndëretnike.
Pavarësisht kundërshtimeve, Kurti ka theksuar se Qeveria nuk do të heqë dorë nga hapja e urës kryesore dhe nga planet për ndërtimin e infrastrukturës që lidh dy pjesët e ndara të qytetit.