Mitrovicë e Veriut: Grafite kërcënuese ndaj kryeministrit Kurti, Policia nis hetimet

Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë në Mitrovicë të Veriut janë hasur grafite me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Zëvendësdrejtori i Policisë për veri, Veton Elshani, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se rasti ka ndodhur në rrugën “Vasilije Ostrovski” dhe është iniciuar si “kanosje”.
Sipas tij, grafitet janë shkruar në gjuhën serbe dhe përmbajnë mesazhe kërcënuese që në shqip nënkuptojnë: “Kur në Kosovë do të agojë, Albin Kurti më s’do të rrojë”.
“Mbrëmë pas orës 21:00, në një mur të rrugës Vasilije Ostrovski në Mitrovicë Veri, është hasur një shkrim kërcënues ndaj kryeministrit Kurti. Pas konsultimit me prokurorin kujdestar është iniciuar rasti si kanosje. Nuk ka të dyshimtë e as të arrestuar. Shkrimi i njëjtë, me pamje grafike, ishte vendosur më herët edhe në rrjetin social Telegram”, tha Elshani.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin e personave të përfshirë.