Kosova

Mbi 21 mijë shtetas të Kosovës jashtë vendit të regjistruar për votim me postë për zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se deri më tani janë aprovuar mbi 21 mijë aplikime të shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit për t’u regjistruar në votimin me postë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Ekonomia Online se nga data 23 korrik deri më 24 gusht 2025, përmes platformës elektronike diaspora.kqz-ks.org
, janë pranuar gjithsej 26,480 aplikime, prej të cilave 21,291 janë miratuar, ndërsa 5,186 janë refuzuar.

“Dhjetëra zyrtarë të shërbimit votues kanë punuar çdo ditë nga ora 08:00 deri në mesnatë për shqyrtimin e aplikimeve dhe kthimin e përgjigjeve për secilin aplikues. Në rastet e refuzimit, aplikantët janë njoftuar për arsyet dhe kanë mundësi të ri-aplikojnë duke plotësuar kushtet e parapara”, tha Elezi.

Sipas KQZ-së, shumica e aplikimeve janë refuzuar për shkak se aplikuesit nuk kanë paraqitur dokumentet e nevojshme që dëshmojnë adresën e tyre jashtë Kosovës.

Afati për regjistrim mbyllet këtë të premte, më 29 gusht 2025, ndërsa procesi i votimit për diasporën do të zhvillohet përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025.

Nga të dhënat krahasuese, numri i votuesve të regjistruar është më i ulët krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, kur ishin regjistruar rreth 105 mijë votues, por më i lartë se në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kur kishin marrë pjesë mbi 15,500 votues nga diaspora.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button