Kosova

MINT intensifikon inspektimet për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe monitorimin e çmimeve të teksteve shkollore

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ka bërë të ditur se nga 1 shtatori ka shtuar intensitetin e inspektimeve në gjithë territorin e Kosovës.

Qëllimi i këtyre kontrolleve është mbrojtja e të drejtave të autorit dhe monitorimi i çmimeve të teksteve shkollore. Deri më tani janë inspektuar mbi 30 operatorë ekonomikë, ndërsa në rastet ku janë evidentuar shkelje ligjore janë ndërmarrë masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin.

“Ky hap është ndërmarrë për të siguruar respektimin e kërkesave ligjore dhe për të mënjanuar shkeljet që mund të dëmtojnë konsumatorët si dhe krijimtarinë intelektuale”, thuhet në komunikatën e MINT-it.

Inspektorati ka paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke monitoruar shtëpitë botuese dhe shpërndarësit, për të garantuar që qarkullimi i teksteve shkollore të bëhet në përputhje me ligjin për të drejtat e autorit. Po ashtu, do të vazhdojë mbikëqyrja e çmimeve me synim që ato të jenë të arsyeshme dhe në harmoni me rregullat e konkurrencës.

Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira – shtëpive botuese, shpërndarësve dhe autorëve – që të bashkëpunojnë për një treg të drejtë dhe transparent, duke respektuar të drejtat e autorëve dhe duke garantuar çmime të përballueshme për qytetarët.

Qytetarët që dëshirojnë të raportojnë parregullsi mund të kontaktojnë Inspektoratin Qendror përmes numrit pa pagesë 0800 11000 ose përmes emailit zyrtar [email protected]

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button