Kosova
Kryesore

Ministria e Arsimit do të vazhdojë subvencionimin e prindërve për blerjen e librave shkollorë – Aplikimi pritet të hapet në gusht

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) do të vazhdojë edhe këtë vit subvencionimin për blerjen e librave shkollorë për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën. Aplikimi për këtë skemë pritet të hapet në fillim të muajit gusht.

Nga Ministria është bërë e ditur se nxënësit do të kenë kohë të mjaftueshme për t’u pajisur me tekstet e nevojshme para fillimit të vitit të ri shkollor 2025/2026. “Procesi dhe shpallja e thirrjes për subvencionim nga MAShTI do të publikohet së shpejti, dhe të gjithë përfituesit e kësaj skeme do të kenë kohë të mjaftueshme për t’u furnizuar me tekste shkollore dhe materiale mësimore,” thuhet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë për Radio Kosovën.

Kjo është hera e tretë që MAShTI zbaton këtë model të subvencionimit, i cili ka hasur në reagime të ndryshme nga prindërit dhe ekspertët e arsimit. Sipas tyre, procesi është shoqëruar me vështirësi, veçanërisht në aspektin e shpërndarjes së librave, por gjithashtu është vlerësuar se ka sjellë përparësi në përzgjedhjen më cilësore të teksteve nga mësimdhënësit.

Njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, tha për Radio Kosovën se përfshirja e prindërve në këtë proces ka qenë një nga dobësitë kryesore të skemës. “Shtimi i hallkës së librarive dhe angazhimi i prindërve për të blerë vetë librat është një ndër mangësitë e kësaj qasjeje. Më herët, librat shkonin drejtpërdrejt në shkolla. Tani kjo kërkon më shumë përfshirje dhe mund të shkaktojë vonesa,” theksoi ai.

Megjithatë, Rexhaj theksoi edhe anët pozitive të këtij procesi, duke përmendur se mësimdhënësit tani kanë mundësi të zgjedhin vetë tekstet më të përshtatshme për klasat e tyre, në vend që të kufizohen nga zgjedhjet e bëra më parë nga ministria.

Ndërkohë, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar disa parregullsi në zbatimin e kësaj skeme gjatë vitit 2024. Sipas raportit të ZKA-së, janë identifikuar 154 përfitues që ishin jashtë vendit, por që megjithatë përfituan subvencione për blerjen e librave, në një shumë të përgjithshme prej 14 mijë e 150 euro.

MAShTI ka njoftuar gjithashtu se këtë vit janë ndërmarrë hapa për të përmirësuar procesin, përmes analizave të grupeve punuese dhe bashkëpunimit me Agjencinë për Shoqëri të Informacionit për zhvillimin e moduleve për verifikim të përfituesve. Roli i shkollave do të jetë më aktiv në këtë fazë për të siguruar transparencë dhe shpërndarje të drejtë të fondeve.

Thirrja për aplikim pritet të bëhet publike gjatë ditëve në vijim, dhe prindërit janë të ftuar të ndjekin udhëzimet zyrtare për të përfituar nga subvencionimi për vitin shkollor që po vjen.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button