Sport

Milan dhe Inter me stadium të ri deri në vitin 2030

Presidenti i Milanit, Paolo Scaroni, ka konfirmuar se projekti i stadiumit të ri, që do të jetë në bashkëpronësi me Interin, pritet të përfundojë deri në vitin 2030.

Sipas tij, të dy klubet kanë marrë miratimin për të blerë zonën e San Siros, përfshirë edhe Stadio Meazza, dhe tashmë po përgatitet projekti për ndërtimin e stadiumit të ri modern.

“Qëllimi është të finalizojmë aktin e shitjes deri në tetor, dhe në atë moment do të bëjmë pagesën e parë prej 73 milionë eurosh,” tha Scaroni për Milano Finanza.

Ai shtoi se faza e detajuar e dizajnit do të fillojë menjëherë pas finalizimit të marrëveshjes, ndërsa projekti i është besuar studios Norman + Partners dhe MANICA, dy kompani të njohura për arkitekturën sportive.

Sipas Scaroni-t, punimet për stadiumin e ri do të nisin në vitin 2027, ndërsa objektivi është që gjithçka të përfundojë deri në vitin 2030.
“Përveç nëse ndodhin pengesa të vogla, qëllimi është ta kemi stadiumin gati deri në 2030. Kështu, mund të kryejmë testimet dhe ta vëmë në funksionim të plotë për Kampionatin Evropian 2032,” deklaroi ai.

Në këtë mënyrë, sezoni i parë i Milanit dhe Interit në stadiumin e ri pritet të jetë 2030-31.

Milan dhe Inter ndajnë stadiumin historik San Siro që nga sezoni 1947-48. Ai u inaugurua në vitin 1926 me ndeshjen mes dy ekipeve milaneze, ku Inter fitoi 6-3.

Ndërkohë, sonte Milan do të luajë në San Siro kundër Cremoneses, ndërsa nesër Inter do të përballet me Juventusin në Torino.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button