Miftaraj: Shteti po funksionon në mënyrë të kundërligjshme, Kuvendi duhet të rikthehet në funksion

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka ngritur alarmin për një krizë të thellë institucionalo-juridike në vend, duke theksuar se shteti po funksionon në mënyrë të kundërligjshme për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit dhe përplasjes së ligjshmërisë me legjitimitetin.
Në një takim diskutues të organizuar nga IKD me temën “Kuvendi në pauzë, demokracia në sprovë: A është kompromisi dhe konsensusi zgjidhja?”, të mbështetur nga Friedrich Ebert Stiftung (FES) – Zyra në Prishtinë, Miftaraj deklaroi se vendi ndodhet në një situatë ku edhe vetë shteti ka rënë ndesh me ligjin.
“Po hymë në një situatë ku tashmë kemi një shtet të kundërligjshëm. Çdo vendim i marrë nga ministritë, ku udhëheqin persona që janë njëkohësisht deputetë dhe ministra në detyrë, është në kundërshtim me ligjin,” tha ai.
Miftaraj theksoi se është përgjegjësi e secilit deputet që të dalë përtej interesave partiake dhe të vendosë në plan të parë interesin strategjik të shtetit. Ai përmendi pesë vdekje në javën e kaluar, ndërprerjen e buxhetit për RTK-në dhe funksionimin e institucioneve me ushtrues detyre si tregues të një krize të thellë.
Ai shtoi se problemi me ushtruesit e detyrës nuk është i ri, por një fenomen i vazhdueshëm që ka arritur pikën kulmore.
“Qeveria Kurti II ka pasur legjitimitet dhe legalitet deri në momentin kur janë certifikuar deputetët e rinj në Kuvend. Por në mungesë të një Kuvendi funksional dhe një Qeverie të re, jemi në kaos institucional,” theksoi Miftaraj.
Duke iu referuar një vendimi të Gjykatës Supreme, ai tha se ushtruesit e detyrës që e kanë tejkaluar afatin ligjor nuk kanë të drejtë të marrin vendime.
“Nëse drejtori ushtrues detyre në Thesarin e Shtetit, i cili ka ekzekutuar pagat për 87 mijë shërbyes civilë, është në kundërshtim me ligjin, atëherë kemi të bëjmë me shkelje ligjore dhe penale,” paralajmëroi ai.
Miftaraj përfundoi se legaliteti është thelbësor për funksionimin demokratik të shtetit, dhe se legjitimiteti politik nuk ka asnjë vlerë nëse nuk respektohen Kushtetuta dhe ligjet.
Ai kërkoi një rikthim urgjent të funksionalitetit të Kuvendit, formimin e një Qeverie të re dhe ndryshim në qasjen ndaj mënyrës së qeverisjes për të shmangur thellimin e krizës ligjore dhe institucionale.