Kosova

Miftaraj reagon ashpër ndaj Rozeta Hajdarit: “Ka dëshmuar nivel të lartë injorance”

Drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, e cila pas intervistimit nga Prokuroria Speciale për çështjen e rezervave shtetërore, ka thënë se kjo Prokurori “nuk ka të drejtë të marrë dokumente sekrete”.

Miftaraj e ka quajtur këtë deklaratë si dëshmi të qartë të mungesës së njohurive ligjore dhe ka kritikuar jo vetëm ministren Hajdari, por edhe këshilltarët e saj.

“Sikur të mos ishte tragjike, do të ishte qesharake. Ministrja Hajdari ka dëshmuar nivelin e injorancës së saj dhe atyre që e këshillojnë. Në drejtësinë penale, mosnjohja e ligjit nuk të amniston nga përgjegjësia penale”, ka deklaruar Miftaraj.

Ai ka shtuar se është e pakuptimtë të thuhet se dokumentet janë sekrete, ndërkohë që, sipas tij, vetë ministria dhe qeveria u kanë dhënë qasje individëve të zakonshëm, përfshirë një bukëpjekës, në këto dokumente.

“Fakti që një bukëpjekës ka pasur qasje në dokumente sekrete është skandal më vete. Kosova nuk e meriton që persona të tillë të mbajnë pozita kaq të larta politike. Është dëshmi e gjallë për mungesën e integritetit në këto institucione”, ka përfunduar ai.

Deklarata e Miftarajt vjen në një kohë kur hetimet për rezervat shtetërore kanë përfshirë zyrtarë të lartë dhe po zbulojnë parregullsi serioze në menaxhimin e tyre.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button