Rajoni

Mickoski: Maqedonia e Veriut nuk pranon imponime nën maskën e procesit europian

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se vendi i tij nuk do të pranojë imponime të maskuara si pjesë e procesit të integrimit europian. Këto komente ai i bëri gjatë një konference të përbashkët për media me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Europian, Marta Kos, raporton TV21.

“Nuk pranojmë imponime nën maskë të procesit europian. Europa është shtëpi e së drejtës, drejtësisë dhe dinjitetit. Këto janë vlerat që i pranojmë. Çdo gjë tjetër është e huaj për BE-në dhe e huaj për ne,” theksoi Mickoski.

Ai shtoi se Maqedonia e Veriut do të ecë përpara me plan dhe vizion të qartë, duke i konsideruar reformat si një nevojë të brendshme dhe jo si një detyrim nga jashtë.

“Reformat tona nuk janë dekor, janë nevojë. Ne nuk do të presim që dikush të na shtyjë, do të lëvizim vetë me vullnetin tonë, me plan konkret dhe me vizion të qartë. Realizojmë rezultate jo për shkak se dikush e kërkon këtë nga ne, por për shkak se këtë e meritojnë qytetarët tanë,” shtoi kryeministri.

Mickoski përmbylli deklaratën e tij duke theksuar se Maqedonia e Veriut do të ndjekë vlerat europiane, jo nga detyrimi, por nga bindja e thellë se ato janë rruga e duhur për vendin.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button