Lajme
Kryesore

Michael Rubin: Departamenti Amerikan i Shtetit e shtyu Shqipërinë drejt një narko-shteti

Analisti i njohur amerikan, Michael Rubin, ka publikuar një analizë të fortë në median amerikane 1945, ku akuzon Departamentin Amerikan të Shtetit dhe administratën Biden se kanë kontribuar në kthimin e Shqipërisë nga një demokraci premtuese në një narko-shtet të kapur nga korrupsioni dhe ndikimi politik.

Rubin thotë se Shqipëria, dikur një model i tranzicionit post-komunist, sot ndodhet në prag të një diktature. Ai thekson se kryeministri Edi Rama, me ndihmën e USAID-it dhe përfaqësuesve të lartë të Departamentit të Shtetit, ka instrumentalizuar drejtësinë dhe institucionet për të eliminuar opozitën, sidomos figurën e ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Çdo akuzë që Rama hidhte ndaj Berishës, gjente besueshmëri në Uashington”, shkruan Rubin, duke shtuar se SHBA, përmes ambasadores Yuri Kim dhe vetë sekretarit Blinken, ka ndikuar negativisht në zhvillimin demokratik të Shqipërisë.

Ai akuzon SPAK-un se është kthyer në një armë politike në duart e Ramës, me synimin për të përndjekur opozitarët dhe për të mbyllur gojën e çdo kundërshtari. Rubin e krahasoi Shqipërinë me Turqinë e Erdoğanit, Zimbabvenë e Mugabe-s dhe Panamanë e Noriegës — vende ku demokracia u përdor si fasadë për konsolidimin e pushtetit autokratik.

Në analizë, Rubin shpreh shqetësimin se zgjedhjet e 11 majit 2025 mund të jenë të fundit të lira në Shqipëri, nëse Rama arrin të forcojë më tej kontrollin e tij.

Ai vuri në dukje edhe skandalin e Charles McGonigal, ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së, i dënuar për lidhje korruptive me qeverinë shqiptare. Sipas Rubin, kjo është dëshmi e qartë se korrupsioni nuk qëndron tek Berisha, por tek vetë Rama dhe lidhjet që ai ka ndërtuar me figura të fuqishme amerikane.

Në fund, Rubin i bën thirrje Sekretarit të ri të Shtetit, Marco Rubio, që të ndërhyjë urgjentisht për të ndaluar këtë prishje të demokracisë në Shqipëri dhe të rivendosë besimin tek SHBA si mbrojtëse e vlerave demokratike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button