Messi shkëlqen sërish në MLS, thyen rekorde historike dhe udhëheq Inter Miamin drejt fitores

Lionel Messi po vazhdon të shkruajë historinë në futbollin amerikan, duke dhuruar paraqitje brilante në Major League Soccer (MLS).
Ylli argjentinas ishte protagonist absolut në fitoren e Inter Miami-t si mysafir ndaj New England Revolution, me rezultat 2:1. Ai realizoi të dy golat për ekipin nga Florida, duke e çuar në katër numrin e ndeshjeve radhazi ku ka shënuar të paktën dy herë – një rekord i paparë më parë në historinë e MLS-së.
Në minutën e 27-të, Messi shënoi golin e parë, ndërsa 11 minuta më vonë e finalizoi me sukses një asist të Sergio Busquets. Goli i vetëm për vendasit u shënua nga Carles Gil në minutën e 79-të, por ishte i pamjaftueshëm për të ndalur fitoren e Inter Miami-t.
Me këtë dopietë, 38-vjeçari regjistroi golin e 14-të në këtë sezon të MLS-së dhe të 20-in në të gjitha garat. Vetëm në katër ndeshjet e fundit, ai ka realizuar plot 8 gola.
Përveç rekordeve në ligë, Messi e çoi në 870 numrin e golave në karrierë dhe u bë lojtari i parë në histori që ka realizuar 100 gola nga loja e hapur jashtë zonës së 16 metërshit – pa përfshirë goditjet e lira.
Inter Miami, ndonëse me dy ndeshje më pak për shkak të pjesëmarrjes në Botërorin e Klubeve, renditet aktualisht në pozitën e pestë në Konferencën Lindore me 35 pikë.
Leo Messi vazhdon të dëshmojë se mosha është vetëm një numër për një legjendë që nuk ndalet së thyer rekorde.