Sport

Messi shkëlqen me dy asistime në fitoren dramatike të Inter Miamit ndaj Atlasit

Lionel Messi u rikthye në mënyrën më të mirë të mundshme pas pezullimit, duke dhuruar dy asistime, përfshirë një në sekondat e fundit të takimit, për të udhëhequr Inter Miamin drejt fitores 2-1 kundër Atlasit në ndeshjen hapëse të Leagues Cup, të mërkurën mbrëma.

Pas mungesës në ndeshjen All-Star të MLS-së, e cila solli pezullimin e tij dhe Jordi Alba-s me nga një ndeshje, Messi u rikthye me ndikim të menjëhershëm. Ai asistoi për golin e parë të realizuar nga Telasco Segovia në minutën e 58-të, ndërsa vendosi ndeshjen në favor të Miamit me një pasim vendimtar për Marcelo Weigandt në minutën e 96-të. Goli u konfirmua nga VAR pas një kontrolli për pozicion jashtë loje.

Rivaldo Lozano kishte barazuar për skuadrën meksikane të Guadalajaras në minutën e 82-të, duke i dhënë ndeshjes tension deri në fund.

Ky ishte asistimi i pestë i Messit në muajin korrik, ndërsa më herët ai ishte shpallur edhe Lojtari i Muajit në Major League Soccer, me tetë gola të shënuar dhe një ndikim të madh në sukseset e ekipit – katër fitore, një barazim dhe një humbje.

Për Inter Miamin, kjo ndeshje shënoi gjithashtu debutimin e mesfushorit argjentinas Rodrigo De Paul, bashkëkombas dhe mik i ngushtë i Messit, i cili nënshkroi me klubin javën e kaluar.

Inter Miami nis kështu me fitore rrugëtimin në Leagues Cup, me Messin sërish në qendër të vëmendjes.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button